156. I nderuar hoxhë! A konsiderohet mëkat mallkimi dhe lutja e prindërve kundër fëmijëve të tyre në raste hidhërimi?
Përgjigjja: Fëmijët janë njëra prej dhuratave dhe dhuntive më të çmuara që Allahu xh.sh. u dhuron robërve të Vet. Fëmijët janë stoli dhe zbukurim i kësaj bote. Allahu xh.sh. thotë:
الْمَالُ وَالْبَنُونَ زِينَةُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۖ وَالْبَاقِيَاتُ الصَّالِحَاتُ خَيْرٌ عِندَ رَبِّكَ ثَوَابًا وَخَيْرٌ أَمَلًا
“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (Kehf: 46)
Ata janë kënaqësi e syve të prindërve, zbukurim i jetës së tyre, atëherë si ka mundësi të bëjnë lutje kundër të dashurve të tyre, fëmijëve të tyre?
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] na ka ndaluar që të bëjmë lutje kundër fëmijëve, pasurisë dhe vetvetes nga frika se lutja jonë mund t’ia qëllojë momentit të përgjigjes. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Mos u lutni kundër vetes tuaj, mos u lutni kundër fëmijëve tuaj, e as mos u lutni kundër pasurisë suaj, ngase lutja juaj mund të qëllojë në momentin kur Allahu i përgjigjet lutësit e t’ju përgjigjet edhe juve.”[1]
Vlen të ceket se lutja e prindit siç pranohet kundër fëmijës, pranohet edhe për fëmijën. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel- lem] ka thënë: “Tre (lloje) lutje nuk ka dyshim se janë të pranuara: lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij.”[2]
Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Lutja e prindit kundër fëmijës të tij.”[3]
Kjo do të thotë se lutja e prindit për fëmijën e tij është shumë afër pranimit, pavarësisht a lutet kundër tij apo për të.
Është gabim i madh i baballarëve dhe nënave të luten kundër fëmijëve të tyre në rastet kur hidhërohen, por në vend të mallkimit në raste të këtilla prindërit duhet ta lutin Zotin e Madhërishëm që t’i udhëzojë fëmijët e tyre në rrugë të drejtë, t’i përmirësojë sjelljet e tyre dhe t’i kthejë në rrugë të mbarë.
Prej mëshirës së madhe që ka Allahu xh.sh. ndaj robërve të Vet është se Ai nuk u përgjigjet lutjeve të prindërve kundër fëmijëve të tyre kur janë nën ndikimin e hidhërimit dhe zemërimit. Allahu xh.sh. thotë:
وَلَوْ يُعَجِّلُ اللَّهُ لِلنَّاسِ الشَّرَّ اسْتِعْجَالَهُم بِالْخَيْرِ لَقُضِيَ إِلَيْهِمْ أَجَلُهُمْ
“Sikur Allahu t’ua shpejtonte njerëzve pranimin e kërkesës për të keqen, ashtu si e pranon shpejtimin e kërkesës për të mirën, atyre do t’u përfundonte afati (i vdekjes).” (Junus: 11).
Ibën Kethiri në komentimin e këtij ajeti ka thënë:
“Na njofton i Lartmadhërishmi për butësinë, urtësinë dhe mëshirën e Tij të madhe ndaj robërve të Tij duke mos iu përgjigjur lutjeve të tyre kundër vetes, pasurisë dhe fëmijëve të tyre kur janë në gjendje hidhërimi dhe nervozizmi, ngase Ai e di nga qëllimi i tyre se ata nuk e dëshirojnë të keqen, për këtë arsye nuk u përgjigjet lutjeve të tyre (që përmbajnë mallkim).
Por Ai u përgjigjet lutjeve që bëjnë për veten e tyre, pasurinë dhe fëmijët e tyre me mirësi, begati dhe shtim.”[4]
Megjithatë, siç e cekëm më lart, prindi duhet të ketë kujdes e të mos lutet kundër tyre, sepse duaja, ani pse është për keq, nganjëherë mund edhe të pranohet.
Allahu e di më së miri.
1 Muslimi, nr. (3009) 74; Ebu Davudi, nr. 1532.
2 Ibën Maxhe, nr. 3862. Albani e ka konsideruar hasen.
3 Ahmedi, nr. (10708)-10718. Shuajbi e ka konsideruar: hasen li gajrihi. Ndërsa Albani në librin e tij Sahihu El-Xhamiu nr. 3031 e ka konsideruar hasen.
4 Tefsiri i Ibn Kethirit, 2/554.
