148. I nderuar hoxhë! Jam një motër muslimane me mbulesë islame. A më lejohet të paraqitem pa mbulesë dhe të përshëndetem me dorë me xhaxhanë e burrit tim?
Përgjigjja: Në parim femrës muslimane i lejohet të paraqitet pa shami, të vetmohet dhe të përshëndetet me dorë me çdo njeri që i ndalohet martesa me ndalesë të përhershme. Përballë kësaj, femrës muslimane i ndalohet të paraqitet pa shami dhe të përshëndetet me dorë me të gjithë ata burra që janë të huaj e që i lejohet martesa me ta. Po ashtu edhe muslimanit i ndalohet të përshëndetet me dorë dhe të vetmohet me gra të huaja për të, pra që i lejohet martesa me to. Xhaxhai i burrit nuk konsiderohet në të njëjtën kohë edhe xhaxha i gruas, prandaj ai konsiderohet i huaj për gruan, pa marrë parasysh moshën e tij, ngase argumentet e urdhëresës për mbulesën kanë ardhur në formë të përgjithësuar, pa bërë dallim në mes të riut dhe të moshuarit. Allahu xh.sh. thotë:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُل لِّأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاءِ الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ ۚ ذَٰلِكَ أَدْنَىٰ أَن يُعْرَفْنَ فَلَا يُؤْذَيْنَ ۗ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَّحِيمًا
“O ti Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Ahzab: 59)
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kini kujdes nga të vetmuarit me gra (të huaja).” Njëri prej ensarëve tha: “Çka thua për të afërmit e burrit?” Pejgamberi tha: “Të afërmit e burrit janë vdekja.”[1]
Lejth bin Sa’di ka thënë: “Të afërmit e burrit d.m.th. vëllai i tij, xhaxhai i tij, djali i xhaxhait dhe të ngjashëm me ta.” Po ashtu Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Të shpohet në kokën e njërit prej jush me gjilpërë të hekurt është më mirë për të sesa të prekë një grua që nuk i lejohet.”[2] Ndërsa Aishja r.a. ka thënë: “Nuk ka prekur dora e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] dorë gruaje, përveç asaj që ka pasur të vetën.”[3]
Mirëpo ju mund t’i flisni xhaxhait dhe të afërmve të burrit tuaj e të dilni para tyre me mbulesë islame, por duke mos u përshëndetur me dorë dhe as nuk duhet të vetmoheni me ta.
Allahu e di më së miri.
1 Buhariu, nr. 5232; Muslimi, nr. (2172) 20.
2 Taberaniu, nr. 486, Albani e ka bërë sahih, shih: Sahih el-Xhami, nr. 5045.
3 Muslimi, nr. (1866) 88.
